Aktualitet

Stuhia godet Shqipërinë, meterologia: Zonat ku priten rrebeshe dhe erëra të forta

Stuhia ciklonare që ka përfshirë Shqipërinë pritet që të jetë problematike për veri-perëndimin dhe qendrën e vendit kryesisht gjatë mesditës. Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” thotë se disa zona të vendit do të përfshihen nga rrebeshe shiu me stuhi të forta ere.

Lajda Porja: Dita më problematike është dita e sotme edhe pse ka nisur me vranësira, të paktën në veri pritet që nga ora në orë të kemi shtim të intensitetit të reshjeve. Parashikohet që reshjet të jenë problematike nga ora 12:00 deri në orën 16:00. Kryesisht veri-perëndimi dhe qendra do të ketë rrebeshe shiu, shoqëruar herë pas here me stuhi të forta ere. Reshjet do të jenë edhe në formën e shtrëngatave duke sjellë probleme në disa zona të veri-perëndimit, në zonat e Shkodrës dhe nën Shkodrës. Po ashtu, Kruja, Tirana, Elbasani. Pas orës 16:00, presim të kemi shtim të intensitetit të reshjeve, kryesisht në zonat jugore, ku do të jetë Gjirokastra, Vlora, Përmeti dhe Saranda që do të marrin rrebeshe shiu, të paktën deri në orët e vona të mbrëmjes. Deri sonte në orët e vona të mbrëmjes, moti do të jetë problematik në disa zona të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë dhe sidomos përgjatë Ultësirës Perëndimore duke sjellë lokalisht dhe reshje intensive, herë pas here shoqëruar me stuhi detare. Jane ciklone tropikale, të cilat janë prodhuar dhe gjatë ditës së djeshme për shkak të temperaturave shumë të larta që kemi përjetuar dje. Ndërkohë temperaturat vijojnë të jenë të larta edhe pse kemi reshje, 20 apo mbi 20 gradë Celsius.

Por cilat janë zonat më problematike dhe në cilat fasha orare do të jetë situata alarmante përsa i përket kushteve të motit?

Lajda Porja: Shkodra ka problemin nga ora 12:30-13:00 deri në orën 15:00 apo 16:00, ky është intervali ku do të ketë intensitetin më të lartë të reshjeve. Ndërkohë, Tirana është pas orës 13:00 deri në orën 16:00, ku mbetet problematike situata. Jugu nuk është problematik përgjatë paradites, ndërkohë pas orës 16:00, pritet një intensifikim i zonave jugore, por sërish mbetet veriu dhe qendra epiqendra e kësaj stuhie ciklonare që ka përfshirë Shqipërinë dhe jo vetëm Shqipërinë, por edhe një pjesë të mirë të Ballkanit.

Pritet që nga e marta të kemi një përmirësim të reshjeve, por sërish moti do të jetë i paqëndrueshëm deri ditën e premte e mesa duket 14 Marsi, siç e thotë edhe sinoptikanja Porja nuk do të jetë një ditë ideale Vere.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button