“Prostitucion, drogë dhe martesa gay në shtetin Bektashi”. Teologu: Po keqpërdoren, po paraqiten si jo atdhetarë

Teologu Justinian Topulli e sheh me shumë mosbesim nismën më të re të shpallur nga kryeministri Edi Rama, për krijimin e një shteti Bektashi brenda territorit shqiptar. “Aty në tekstin e “New York Times”-it thoshte që “do të lejohen gratë pa shami”. Pse çfarë lidhje ka që duhet të përmendet ajo gjëja aty. Ose “do të lejohet përdorimi i alkoolit”. Pse duhet të përmendet? Shteti shqiptar e ndalon prostitucionin. Në atë shtetin bektashian mund të lejohet për shembull. Shteti shqiptar nuk lejon martesën gay, aty mund të lejohet. Ose ku e di unë, mund të sajohen lloj-lloj gjërash aty. Hashashi për shembull, se kryeministri ynë ka edhe ca tendenca për ta toleruar për arsye mjekësore. Pra flitet për një free zone”, tha Topulli në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
“Kemi të bëjmë me një njeri megaloman, që do të vendosë veten e tij në histori me të tilla gjëra. Ka një ombrellë etike që e mbron, fetarisht dhe thotë: Ti je mysliman që e ndalon, ky është mysliman që e lejon”.
Sipas tij, kjo nismë bie ndesh me rolin historik që besimtarët dhe kleri bektashi ka luajtur në historinë e Shqipërisë. “Bektashinjtë, për shkak të konfliktit që krijuan me Perandorinë Osmane, duke qenë se një pjesë e mirë, udhëheqja, ishin shqiptarë, theksuan identitetin kombëtar të shqiptarëve dhe nacionalizmin shqiptar dhe u bënë prej atyre të cilët kontribuuan. Dhe kontribuuan që këta shqiptarë bektashianë të ishin pjesë e këtij shteti. Dhe janë identifikuar gjithmonë si shqiptarë. Madje edhe e quajnë edhe Naim Frashërin si shenjtor Bektashi”, tha Topulli.




