Spiropali-Shoqërisë civile: Bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje, nevojë strategjike në procesin e integrimit në BE
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali vlerësoi sot rolin e shoqërisë civile në një shoqëri demokratike, ndërsa kërkoi bashkëpunim me shoqërinë civile në kuadër të sfidave të përbashkëta që vijnë nga procesi i integrimit europian.
Në një takim me organizatat e shoqërisë civile, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare, Spiropali u ndal te rëndësia e bashkëpunimit mes Kuvendit dhe shoqërisë civile për përmirësimin e transparencës, si dhe pjesëmarrjes qytetare në proceset legjislative e mbikëqyrëse të integrimit europian.
Duke folur edhe si një ish-aktiviste e shoqërisë civile, Spiropali theksoi se aktivizimi në shoqërinë civile nuk është profesion, por është pasion dhe një sfidë për njerëz pasionantë që nuk presin të fitojnë, por janë gati të sakrifikojnë për bindje dhe ide për të ndryshuar dhe për t’u bërë pjesë e progresit.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi po ashtu se në shoqërinë civile janë të përfshirë disa nga mendjet më të mira të Tiranës dhe të Shqipërisë.
“E quaj mëkat që ky potencial i madh njerëzor asnjëherë deri më sot nuk është shfrytëzuar dhe nuk është vënë në funksion të shoqërisë ashtu siç duhet, së paku në marrëdhëniet dypalëshe mes shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore”, tha Spiropali.
Sipas saj, “roli i Kuvendit në raport me shoqërinë civile duhet ridimensionuar dhe riformatuar, duke hequr dorë fillimisht nga formalizmi”.
“Sfidat e përbashkëta që ka shoqëria jonë nuk kanë të bëjnë me ngjyrat partiake, por me nevoja strategjike të gjithë Shqipërisë. Raporti i Progresit është një tjetër lajm i mirë për ne. Rezultatet dhe arritjet na bëjnë krenarë, por edhe vërejtjet, kritikat e rekomandimet duhet të na bëjnë më të përgjegjshëm e llogaridhënës para qytetarëve”, tha ajo.
Spiropali kërkoi bashkëpunimin e shoqërisë civile për ta bërë këtë proces më gjithëpërfshirës. “Ndaj ju kam ftuar në këtë dialog për të ndarë me ju sfidat e Kuvendit jo vetëm për procesin e anëtarësimit në BE, por edhe për sfidat tona për ligjbërjen e kontrollin parlamentar”, shtoi ajo.
Spiropali garantoi se Kuvendi do të punojë për rritjen e produktivitetit dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile, që jo vetëm të kemi standarde ligjore dhe institucionale bashkëkohore, por edhe zbatim të tyre.
“Ne do punojmë për të bërë plotësisht funksional regjistrin elektronik të organizatave të shoqërisë civile. Shoqëria civile është shprehje e interesave të ndryshme dhe diversitetit, duke pasur rol parësor në paraqitjen e interesave të grupeve shoqërore. Nxitja e bashkëpunimit me ju do të vijojë të përbëjë prioritet”, shtoi Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se shoqëria civile nuk është në luftë me shtetin, por është në fakt në luftë me armiqtë e shoqërisë së lirë, kundërshtarët e shtetit demokratik, minuesit e demokracisë funksionale. Për këtë, ajo siguroi se Kuvendi do të jetë në krah të shoqërisë civile.