10 ditë përvëlim! Meteorologia jep alarmin: Ja qytetet ku temperaturat kalojnë 40 gradë

Dhjetëditëshi i parë i korrikut do të jetë shumë nxehtë dhe i padurueshueshëm. Paralajmërimi u dha nga meteorologia e A2 CNN, Tanja Porja në Dita Jonë, sipas të cilës pjesa më e madhe e Shqipërisë do të arrijë temperatura ekstremisht të larta, ndërsa bregdeti do të jetë më i freskët.
“Presim freskim nga data 10 korrik që termometri të zbresë nga 41 gradë në 36-37 gradë. Gjatë korrikut do të kemi disa ditë me 41 gradë celsius. 4-8 ditë janë rraskapitëse dhe vrastare. Berati, Elbasani Gjirokastra, Kopliku dhe Shkodra janë qytete ku temperaturat do të kapin vlerat ekstremisht të larta 40-41 gradë, por nuk përjashtohet as Tirana që mund të kapërcejë 40-gradëshin. Po kështu edhe Fushë Kruja, Kolonja e Përmeti.
Bregdeti paraqitet më i freskët se zonat malore hasi Kukësi, Burreli, Librazhdi, Pogradeci dhe Korça. Do ketë ditë që do të jetë më freskët Vlora se Korça. Pjesa tjetër e Shqipërisë do të jetë flakë. Temperatura në bregdet do të jenë 3-4 gradë më të ulët. Por kur lagështira është e lartë 36-gradëshi ndjehet 6 më shumë sesa shënohet dhe ajo që ndjejmë duhet të komunikohet si temperatura reale”.
Meteorologia e A2 CNN theksoi se nga data 10 korrik pritet një freskim i lehtë i motit.