Sot Ditë Zie Kombëtare, Shqipëria i jep lamtumirën e fundit Fatos Nanos me ceremoni shtetërore

Ish-kryeministrit Fatos Nano do t’i jepet sot (2 nëntor) lamtumira e fundit në një ceremoni shtetërore të organizuar nga Këshilli i Ministrave.
Në nder të figurës së tij, qeveria ka shpallur sot Ditë Zie Kombëtare, ndërsa flamujt në institucionet shtetërore e publike do të ulen në gjysmë shtizë. Në orën 12:00, në të gjithë vendin do të mbahet një minutë heshtje, ndërsa çdo aktivitet publik do të ndërpritet për të respektuar kujtimin e një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare të tranzicionit.
Arkëmorti i Fatos Nanos u soll me nderime nga Garda e Shqipërisë për t’u vendosur në Pallatin e Kongreseve, ku do të zhvillohen edhe homazhet.
Homazhet publike kanë nisur në orën 08:30, ku qytetarë, miq e kolegë po i japin lamtumirën e fundit dhe do të zgjasin deri në orën 11:00.
Pas tyre do të mbahen homazhet shtetërore, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve më të larta të shtetit dhe të ftuarve nga Kosova.
Në ceremoni pritet të mbajnë fjalë përshëndetëse një anëtar i familjes Nano dhe kryeministri aktual, Edi Rama, i cili do të kujtojë kontributin e Fatos Nanos në jetën politike dhe në konsolidimin e Partisë Socialiste.
Para nisjes së homazheve, kryeministri Edi Rama i ka dhënë edhe njëherë lamtumirën e fundit Fatos Nanos përmes postimit në rrjetet sociale
“Lamtumirë Fatos Nano”, shkruan Rama.
Kujtojmë se më 25 gusht 2023, Kryeministri Rama e nderoi ish-Kryeministrin Nano me medaljen e “Mirënjohjes Publike”, klasa I, “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike”, si shenjë vlerësimi për kontributin e tij të veçantë në ngritjen e institucioneve demokratike, promovimin e tolerancës politike dhe rolin vendimtar në momente të rëndësishme të jetës shoqërore dhe kombëtare.
Ceremoninë do ta përcjellë me muzikë funebre Radiotelevizioni Publik Shqiptar, duke krijuar një atmosferë respekti dhe nderimi për figurën e Nanos.
Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, kortezhi funebër do të përcjellë trupin e të ndjerit për në banesën e fundit, në një ceremoni private familjare.
Ish-kryeministri, Fatos Nano u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare dhe do të mbahet mend si një prej figurave qendrore të së majtës shqiptare dhe një lider që la gjurmë të thella në historinë politike të vendit.
Arkëmorti me trupin e pajetë të ish-kryeministrit Fatos Nano mbërriti në Pallatin e Kongreseve i shoqëruar nga garda e Shqipërisë.
Ish-kryeministrit Fatos Nano do i jepet lamtumira e fundit nga qytetarët, miqtë dhe kolegët e tij ndër vite, duke nderuar kontributin e tij për vendin.




