Alida, fizioterapistja që u bë pilote në Forcat Ajrore të Shqipërisë
Alida Bego, 25 vjeç ka lënë pas karrierën në fizioterapi për të ndjekur ëndrrën e saj më të madhe të fluturojë. Sot, si pilote e
re në Forcat Ajrore të Shqipërisë, Alida tregon se me pasion dhe vendosmëri, asnjë lartësi nuk është e paarritshme.
– Advertisement –
“Fluturimi që realizuam sot ishte fluturim formacion. Kohëzgjatja e fluturimit varet nga plani i fluturimit. Pas përfundimit te kursit për oficer të ri 1-vjeçar u emërova ne Rinas dhe nga andej erdha këtu në Fark. Kam përfunduar studimet për Bachelor në fizioterapi ishte fati ime që u bëra pjesë e forcës ajrore.
Fizioterapia ka dalë jashtë loje, sepse ajo që më intereson dhe kërkon më shumë përkushtim është Forca Ajrore. Ne përfundojmë kursin e pilotit zgjat deri në 9 muaj dhe, pas përfundimit të tyre, jemi në gjendje të pilotojmë”, tha ajo.
Alida na tregon me emocion momentin kur fluturoi për herë të parë si pilote.
“Të gjithë thonë se fluturimi i parë në helikopter është ai që mbahet më shumë mend me emocion. Megjithatë, një nga kujtimet më të bukura për mua është fluturimi i vetëm, sepse është momenti që tregon se jemi në gjendje të fluturojmë vetë, pa praninë e askujt në bord.
Kur kam qenë vetëm në bord, të gjitha emocionet lihen jashtë në momentin që hipën në helikopter. Atje ndihesh më rehat, sepse nuk ka askënd tjetër – je vetëm ti dhe helikopteri, dhe duhet të bësh atë që duhet të bësh, asgjë më shumë. Familja më ka thënë se ishte e shqetësuar, dukej se ishte diçka e re dhe e papërjetuar për ta, megjithatë ishin shumë të emocionuar”, shtoi ajo.
Për Alidën, profesioni i pilotit është një punë që kërkon përkushtim, përgjegjësi dhe pasion të vazhdueshëm.
“Të rinjtë i japin forcë vetes dhe, pse jo, të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Veten time e shoh në zhvillimin tim si pilote dhe sa më shumë misione të suksesshme kryej, aq më shumë rritem dhe mësoj. Kjo është një punë që bëhet me kënaqësi, ku harron të gjitha gjërat jashtë. Nuk e kisha menduar asnjëherë që do të bëhesha pilote”, tha ajo.




