Kosova voton – për herën e katërt brenda vitit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se procesi i votimit ka nisur në gjithë Kosovën, pa asnjë telashe.
“Iu njoftojmë se në orët e hershme të mëngjesit, materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është shpërndarë në të gjitha qendrat e votimit. Procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë. Sot procesi i votimit do të zhvillohet në 948 qendra të votimit. Numri i qytetarëvee me të drejtë vote është 1 milion e 999 mijë, që janë shpërndarë në 38 komuna”, tha Elezi në një konferencë për media.
Numri i subjekteve politike të certifikuara është 24 subjekte: 18 parti, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Elezi foli edhe për rezultatet.
“Sa i përket rezultateve, sipas Ligjit, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve bëhet në vendvotime, kurse votat e kandidatëve, numërimi bëhet në qendrat komunale të numërimit. KQZ-ja ka bërë përgatitjet që gjatë ditës së sotme të transmetojë të dhënat në disa orare të ndryshme, dhe në mbrëmje transmetimin e rezultateve. Në bazë të përgatitjeve që janë bërë, besojmë se para orës 20:00 do të fillojmë me rezultatet e para”, tha ai.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i përgjithshëm i votuesve është 2 milionë e 76 mijë e 290 votues, derisa brenda territorit të vendit 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë, kurse jashtë saj 77 mijë e 86 votues.
Procesi brenda vendit do të zhvillohet në 948 Qendra të votimit me 2 mijë e 614 vendvotime.
Por, sa qytetarë kanë të drejtë votimi nëpër komuna?
Kryeqyteti prin me numrin e votuesve me 219 mijë e 516 persona, pastaj Prizren me 187 mijë e 233 qytetarë në listën e votuesve.
I treta renditet Ferizaj, me 121 mijë e 287 qytetarë.
Votimi dje ka përfunduar në 25 përfaqësi diplomatike të Kosovës ku kanë ushtruar të drejtën e tyre mërgimtarët.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, votimi është përmbyllur në 25 përfaqësitë diplomatike në shtetet, si: Turqi, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Kroaci, Holandë, Republikë Çeke, Hungari dhe në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkaq, në orën 01:00 të ditës së diel, sipas kohës lokale në Kosovë, do të përfundojë votimi në 4 përfaqësitë tjera, në ShBA dhe Kanada.
Kryesuesi i KQZ-së, Krehsnik Radoniqi njoftoi se gjatë ditës së votimit jashtë vendit, KQZ ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike dhe se procesi i votimit është zhvilluar pa ndonjë pengesë.
“Sipas të dhënave nga 25 përfaqësi diplomatike ku është mbyllur votimi, por edhe nga të dhënat e orës 13:00 nga votimi në ShBA dhe Kanada, nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 81.29% apo 15,597 votues”, deklaroi ai
Sipas procedurave, këto fletëvotime nuk do të numërohen në përfaqësi diplomatike, por gjatë ditëve në vazhdim do të sillen në Kosovë dhe numërimi i tyre do të bëhet në vendin tonë.




