Aktualitet

Rindërtimi, qeveria akordon mbi 750 milionë lekë për Kurbinin, Durrësin dhe Shijakun

Këshilli i Ministrave ka zhbllokuar fonde të konsiderueshme për bashkitë më të prekura nga tërmeti i vitit 2019, me fokus kryesor Kurbinin, Durrësin dhe Shijakun.

Vendimet, të botuara tashmë në Fletoren Zyrtare, parashikojnë transferta të pakushtëzuara për ndërtimin e pallateve, shtëpive individuale dhe forcimin e objekteve ekzistuese.

Kurbini, përfituesi më i madh

Pjesa e “luanit” nga fondet e miratuara shkon për Bashkinë e Kurbinit, e cila ka marrë financime për rindërtimin e disa njësive të banimit në pallate dhe shtëpi individuale. Sipas vendimeve të qeverisë, fondet ndahen si më poshtë:

•     124 milionë lekë për rindërtimin e dy pallateve në truallin ekzistues;

•     130 milionë lekë për dy pallate të tjera;

•     160.7 milionë lekë për dy pallate të tjera;

•     104 milionë lekë për rindërtimin e banesave individuale (shtëpi private) që duhen ndërtuar nga e para. Në total, vetëm për Kurbinin janë akorduar rreth 518 milionë lekë (pa TVSH).

Fonde për shtëpitë dhe rrugët në Durrës

Për Bashkinë e Durrësit, qeveria ka miratuar një fond prej 169.8 milionë lekësh. Këto para do të përdoren për rikonstruksionin e njësive individuale të banimit (shtëpive) që janë dëmtuar rëndë ose lehtë, por që nuk kanë nevojë të shemben.

Gjithashtu, në zonën e Spitallës, qeveria ka miratuar shpronësimin për interes publik për ndërtimin e rrugëve “Miqësia” dhe “Azem Hajdari” (Loti II). Pronarët e prekur do të kompensohen në vlerën totale prej 13.9 milionë lekësh, ndërsa parashikohet edhe opsioni i shkëmbimit të pronës.

Forcimi i banesave në Shijak

Për Bashkinë e Shijakut, fondet janë fokusuar te riforcimi i banesave që kanë pësuar dëme strukturore (DS4), por që mund të riparohen.

•     Një fond prej 72.9 milionë lekësh është miratuar për riforcimin e banesave individuale.

•     Një fond shtesë prej 5.3 milionë lekësh është akorduar specifikisht për banesat me dëmtime të rënda (DS4) që kërkojnë ndërhyrje të thelluara rikonstruksioni.

Ndryshime për Kombinatin

Përveç fondeve, Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe ndryshimin e hartës dhe koordinatave për zonën e re për zhvillim në Kombinat, Tiranë (Njësia Administrative 6), duke i hapur rrugë vijimit të projekteve në këtë zonë.

Të gjitha efektet financiare të këtyre vendimeve do të përballohen nga Buxheti i Shtetit, në zërin e Fondit të Rindërtimit.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button