Goditet grupi i strukturuar kriminal në Elbasan, 3 në pranga, plagoset lehtë një polic gjatë operacionit

Një operacion i mirëorganizuar i zhvilluar në orët e vona të natës së kaluar ka çuar në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Aksioni është realizuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.
Si rezultat i ndërhyrjes, tre persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa në automjetin me të cilin ata lëviznin janë sekuestruar të paktën 45 kilogramë kanabis sativa, një armë luftarake, municion, një sasi e konsiderueshme parash, si dhe disa telefona celularë me karta SIM shqiptare dhe të huaja.
Sipas burimeve policore, operacioni është shoqëruar me ndjekjen e automjetit që dyshohej se transportonte lëndën narkotike. Në hyrje të qytetit të Elbasanit, drejtuesi i mjetit ka kuptuar se po ndiqej nga forcat e rendit dhe ka tentuar të largohej me shpejtësi, duke u futur në një rrugë të pandriçuar në një lagje periferike.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka bërë të mundur neutralizimin e automjetit, duke vënë në pranga tre personat që ndodheshin brenda tij.




