Aktualitet

Shpërthime pranë aeroportit të Erbilit, baza ushtarake italiane goditet nga një raketë në Irak

Një bazë ushtarake italiane në Erbil të Irakut është goditur nga një raketë gjatë natës, sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Italisë.

Sipas mediave italiane, shpërthimet u dëgjuan rreth orës 23:30 (me orën lokale) dhe ishin aq të forta saqë u ndjenë në zona të ndryshme të qytetit. Një nga raketat raportohet të ketë rënë pranë hotelit “Divan”, një nga hotelet më luksoze të Erbilit.

Shpërthime të tjera u raportuan në zonën e aeroportit, ku ndodhet edhe kampi ushtarak “Singara”, ku është i vendosur kontingjenti italian dhe pranë tij edhe një bazë amerikane. Ende nuk është e qartë nëse sulmi është kryer vetëm me raketa apo edhe me dronë. Raportet paraprake flasin për dëme në pistën e aeroportit dhe në disa objekte përreth, ndërsa autoritetet po verifikojnë situatën në terren.

Ministria italiane e Mbrojtjes konfirmoi se një raketë goditi bazën në Erbil, por nuk ka viktima apo të plagosur mes ushtarëve italianë. Sipas ministrit Guido Crosetto, i gjithë personeli është në gjendje të mirë shëndetësore. Edhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani deklaroi se ushtarët u strehuan në bunkerë dhe janë të sigurt, duke dënuar sulmin ndaj bazës italiane.

Në bazën e Erbilit ndodhen qindra ushtarë italianë të angazhuar në misionin ndërkombëtar për trajnimin e forcave kurde dhe luftën kundër ISIS.

Sipas burimeve lokale kurde, sulmet mund të jenë kryer nga milici shiite në Irak ose nga Irani, ndërsa autoritetet po hetojnë për të përcaktuar përgjegjësit.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button