Histori suksesi : Një biznes i ri në Vorë,Risitë e CSM Company në stacionet e karikimit dhe sistemet ‘smart’ të parkimit
CSM ka krijuar një ekosistem të integruar shërbimesh, duke filluar nga importi, tregtimi dhe instalimi i stacioneve…
Kompania CSM, një start-up dinamik që operon në fushën e teknologjive smart dhe zgjidhjeve “green”, ishte në fokus të pjesës së parë të emisionit “Pro Business” në TV Klan, ditën e sotme, më 2 maj, ku u prezantuan risitë dhe zgjerimi i shërbimeve të saj në tregun shqiptar.
Gjatë emisionit, u theksua se CSM ka krijuar një ekosistem të integruar shërbimesh, duke filluar nga importi, tregtimi dhe instalimi i stacioneve të karikimit për automjete elektrike, te sistemet inteligjente të parkimit, sigurisë dhe ato për hotelerinë. Qendra kryesore e kompanisë ndodhet në Vorë, ndërsa tashmë ajo numëron 20 pika shërbimi në të gjithë Shqipërinë, ku katër prej tyre janë në proces hapjeje.
Një nga pikat dalluese të CSM është trajnimi i stafit direkt në fabrikat e prodhimit të pajisjeve, gjë që garanton njohje të thellë teknike dhe standarde të larta shërbimi. Gjithashtu, kompania ka zhvilluar platformën inteligjente “AlbMove”, e cila mundëson menaxhimin e stacioneve të karikimit dhe të shërbimeve në kohë reale, nga projektimi deri te faturimi digjital.
Në emision u prezantuan edhe sistemet e parkimit inteligjent, që funksionojnë pa nevojën e stafit fizik, me regjistrim automatik të mjeteve dhe mundësi rezervimi online. Po ashtu, CSM ofron zgjidhje të avancuara sigurie dhe sisteme smart për sektorin hotelier, duke krijuar një cikël të mbyllur shërbimi për klientin.
Synimi i kompanisë mbetet krijimi i një rrjeti unik stacionesh dhe zgjerimi i shërbimeve në një platformë të unifikuar, duke kontribuar kështu në tranzicionin drejt një ekonomie “green” dhe në ndërtimin e një infrastrukture moderne e të qëndrueshme për të ardhmen.




