Përplasje në Gjirin Persik! SHBA godet dy cisterna iraniane, rriten tensionet me Teheranin

Situata në Gjirin Persik është tensionuar sërish këtë të premte, pasi ushtria amerikane konfirmoi se një avion luftarak i SHBA-së ka goditur dy cisterna nafte me flamur iranian që po lëviznin drejt një porti në Iran.
Sipas Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), një avion luftarak F/A-18 Super Hornet qëlloi me municione precize mbi oxhaqet e dy anijeve cisternë, duke i çaktivizuar ato përpara se të hynin në një port iranian në Gjirin e Omanit.
Në deklaratën e publikuar në rrjetin social X, CENTCOM theksoi se cisternat po “shkelin bllokadën e vazhdueshme të SHBA-së”.
Ndërkohë, media iraniane Fars News Agency raportoi për përleshje sporadike mes forcave amerikane dhe atyre iraniane në Ngushticën e Hormuzit që prej orës 13:00.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të ndjeshme strategjike në botë për transportin global të naftës, ndërsa tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë rritur ndjeshëm javët e fundit.
Ngjarja vjen në një kohë kur administrata e Donald Trump po pret ende përgjigjen e Iranit ndaj propozimit amerikan për armëpushim dhe nisjen e negociatave për t’i dhënë fund konfliktit në rajon.




