Dua Lipa dhe Callum Turner kurorëzohen në Londër, festa madhështore e dasmës do të mbahet në Siçili

Dua Lipa dhe Callum Turner kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë në një ceremoni private të zhvilluar në mëngjes në sallën historike Old Marylebone në London.
Këngëtarja 30-vjeçare me origjinë shqiptare dhe aktori 36-vjeçar, të cilët nisën lidhjen e tyre në vitin 2024, u shfaqën të buzëqeshur pas ceremonisë, të rrethuar nga familjarë dhe miq të afërt. Çifti zyrtarizoi martesën në një atmosferë intime, ndërsa për javën e ardhshme kanë planifikuar një festë madhështore tre-ditore në Palermo, në rajonin e Sicilisë.
Për ditën e veçantë, Dua Lipa zgjodhi një kostum të bardhë elegant me fund dhe një kapelë me strehë të gjerë, të kombinuar me taka të bardha dhe një buqetë me lule të verdha. Ndërkohë, Callum Turner u shfaq me një kostum blu të errët, duke ecur krah për krah me bashkëshorten e tij teksa dilnin nga godina e gjendjes civile.Pas përfundimit të ceremonisë, e cila zgjati rreth 30 deri në 40 minuta, të sapomartuarit u duartrokitën nga të afërmit përpara se të largoheshin me një taksi tradicionale të zezë londineze. Sipas burimeve pranë çiftit, zgjedhja e këtij mjeti transporti ishte dëshirë e vetë këngëtares, e cila preferonte një largim sa më të thjeshtë nga ceremonia.




