Një e pesta e pacientëve të sëmurë me Covid-19 rrezikohen nga sëmundje psiqike
Rreth një vit pas shfaqjes së një lloji të ri virusi corona SARS CoV-2 ne kemi mësuar se patogjeni agresiv nuk prek vetëm mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes, por edhe zemrën, enët e gjakut, nervat, veshkat dhe lëkurën. Në muajin korrik bota u trondit nga lajmi i neurologëve britanikë se edhe tek pacientët me simptoma të lehta ose tek ata që janë shëruar nga sëmundja, SARS CoV-2 mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme të trurit dhe sistemit qendror nervor, të cilat mund nga ana e tyre mund të krijojnë psikoza, paraliza dhe goditje në tru, sëmundje që mund të dallohen shumë vonë.
Tani shkencëtarët e Oxford Health Biomedical Research Centre kanë zbuluar se tek një e pesta e pacientëve sëmundja COVID-19 mund të shkaktojë probleme psiqike. Frikëra, depresione dhe pagjumësi shkakton sidomos izolimi. Studiuesit i kanë publikuar rezultatet e studimit të tyre në revistën shkencore “Lancet Psychiatry”.
Tek 6 përqind e të sëmurëve diagnostikohen për herë të parë probleme psiqike
Për studimin e bërë me bazë të gjerë, u vlerësuan së bashku me rrjetin e shëndetit TriNetX dosjet elektronike të shëndetit të 70 milionë pacientëve të anonimizuar nga SHBA. Mes tyre ndodheshin 62.000 pacientë me COVID-19 të sëmurë në gjendje të lehtë. Tek ta u kontrollua nëse patën shfaqje të problemeve psiqike në periudhën dy javë deri tre muajsh, pas marrjes së diagnozës me COVID. Sipas studimit tek 18,1 përqind e pacientëve me COVID -19, pra rreth një në pesë pacientë, u diagnostikuan sëmundje psiqike në këtë periudhë kohore, dhe tek 5,8 përqind e pacientëve u pa për herë të parë shfaqja e një sëmundjeje psiqike.

Krahasime me sëmundje të tjera
Për t’u siguruar se sëmundjet psiqike janë të lidhura direkt me COVID-19, u bënë krahasime të të dhënave me gjashtë sëmundje të tjera të të njëjtës periudhë kohore: me grip, me infeksione të tjera të rrugëve të frymëmarrjes, infeksione lëkure, gur në tëmtha, gur në veshka si dhe thyerje të kockave. Tek këto sëmundje u diagnostikuan 2,5 deri 3,4 përqind e pacientëve me probleme psiqike.
“Ky zbulim ishte i papritur dhe duhet studiuar më tej. Ndërkohë shfaqja e shqetësimeve psiqike duhet shtuar në listën e faktorëve të rrezikut nga COVID-19 “, thotë Max Taquet nga Instituti Kombëtar për Studimet e Shëndetit, National Institute for Health Research dhe një nga autorët e studimit.



