Kërcenon Flamur Noka: Kush prek votat, do t’i pritet koka

Përveç presidentit Ilir Meta, edhe kandidati për deputet nga PD për Tiranën Flamur Noka “ka shkarë nga binarët” dhe ka nisur thirrjet dhe kërcënimet për vrasje kush tenton të vjedhë votat.
Në një intervistë për “Frontline”, Noka u shpreh se kush prek votën e lirë do i pritet koka, duke shtuar se opozita do të përdorë çdo mjet për të mos lejuar vjedhjen dhe manipulimet në 25 prill.
Një kërcënim i rëndë i bërë publikisht, për Nokën është një e drejtë e opozitës për të ardhur në pushtet me çdo kusht.
“Ai që prek votën do i pritet koka.
Askush nuk duhet të guxojë dhe të mendojë ndryshimin dhe tjetërsimin e votës së lirë. Kush mendon se do luaj me votat do luaj me kokat. Vota do mbrohet me çdo kusht dhe me çdo mjet. Kjo është e padiskutueshme. Vota është e shenjtë. Askush nuk duhet të tjetërsojë votën e shqiptarit. Ka vetëm një zgjidhje, vetëm ligji do të prevalojë mbi çdo gjë.
Kjo ka qenë ëndrra e çdo shqiptari në vitin 1990. Të gjithë ata zyrtarë apo zuzarë që vijnë pas tyre dhe që tentojnë të vjedhin votën duhet ta mendojnë mirë. Vota do mbrohet me çdo kusht dhe mjet në këtë vend. PD dhe opozita është e sigurt në udhëtimin e saj të fitores”, tha Noka.
Po a ka institucione në Shqipëri? Pse policia nuk nis hetimet për ish deputetin, i cili bën thirrje për vrasje, therrje dhe gjak në 25 prill? Shqiptarët do ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të zgjedhur qeverinë e ardhshme dhe nuk do të shkojnë drejt kutive të votimit për tu përballur me situata aspak normale për një vend të lirë.




