Art

Kryebashkiaku Arbana reagon ndaj gazetares së Top Channel: Mos shtrembëro të vërtetën!

Pas një kronike të shfaqur në edicionin informativ të Top Channel për një familje që pretendon se bashkia Shijak nuk po e ndihmon për shtëpi të re, pas dëmtimit nga tërmeti, vjen reagimi i kryetarit të bashkisë Elton Arbana, ndaj gazetares që ka realizuar kronikën.

Postimi i plotë:

Ju lutem, mos shtrembëroni të vërtetën!

Në një kronikë të edicionit informativ të orës 19.30 në Top Channel, gazetarja Rudina Muca përcolli historinë e një familje nga Shijaku duke ngritur pretendimin se Bashkia Shijak nuk po e ndihmon për t’i dhënë një shtëpi të re, pas dëmtimit nga tërmeti.

Meqënëse gazetarja Rudina Muca solli vetëm pretendimin e familjes, që sipas tyre ka humbur shtëpinë nga tërmeti i dy viteve më parë dhe nuk kërkoi asnjë reagim zyrtar nga ana jonë si Bashki, për hir të transparencës me publikun sqaroj:

Rasti që i referoheni nuk është pronare e një banese të dëmtuar nga tërmeti.

Asnjë familje që nuk ka patur banesë të prekur nga tërmeti nuk mund të pretendojë të marrë shtëpi nga fondi i Rindërtimit. Banesa është e të ndjerit kunatit të saj. Aplikuese është Drita Vlashi, e cila jeton në Itali, me përfaqësues ligjor Ilir Sinani.
Qytetarja që ju paraqisni në kronikë duke u ankuar është Ilda Vlashi dhe nuk ka bërë asnjë aplikim në bashkinë Shijak për banesë të dëmtuar.

Ju si gazetare keni përgjegjësi për atë që transmetoni. “A-ja” e gazetarisë tuaj duhet të jetë verifikimi nga institucioni, Bashkisë në rastin konkret, si mënyra e vetme për ta qëruar të vërtetën nga gënjeshtrat, shtrembërimi dhe thashethemet.

Bashkia Shijak nën drejtimin tim që prej ditës së parë i ka patur dhe do t’i ketë dyert e saj të hapura për çdo gazetar, në mënyrë që opinioni publik të informohet drejt dhe me objektivitet.

Gazetaria nuk është poezi as marketing politik, por informim drejt të vërtetës!

Bashkia e Shijakut me mbështetjen e Kryeministrit Rama dhe Qeverisë po ndërton banesa sociale (pallate) për familjet e pastreha dhe kjo familje mund të jetë përfituese e një banese të tillë, sepse për ne ku ka vullnet, ka zgjidhje!

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button