Vendim i formës së prerë/ Pas 4 janarit, asnjë punonjës administrate nuk do lejohet në punë pa vaksinë, ose test PCR
Komiteti Teknik i Ekspertëve në një dalje për mediat ka konfirmuar praninë e variantit Omicron në vendin tonë, teksa ka bërë me dije dhe masat për festat e fundvitit. “Në mbledhjen e sotme Komiteti Teknik i Ekspertëve analizoi situatën epidemiologjike në lidhje me infeksionin Sars Cov2 në vend, rajon dhe botë, duke vlerësuar indikatorët monitorues të kësaj situate. Komiteti bën me dije se është konfirmuar dyshimi i specialistëve për praninë e variantit Omicron të virusit Covid-19 edhe në Shqipëri, me përgjigjien e ardhur nga laboratori i referencës në Gjermani, megjithatë vijon të mbizotëroje variant Delta”, bëri me dije Rakacolli.
Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve sqaroi se mbetet në fuqi vendimi për respektimin e organizimeve sipas kapaciteteve të lejuara. “Ora policore ka lidhje me lejimin e lëvizshmërisë së njerëzve përgjatë gjithë asaj nate duke menduar që njerëzit do të duan të jenë së bashku në familjet, fëmijët të shkojnë të takojnë prindërit dhe mund ta kalojnë vitin e ri së bashku. Aktivitetet do të organizohen sipas standardeve të përcaktuara me kohë, të lejimit të grumbullimit të personave sipas kapaciteteve ku mund të grumbullohen njerëzit për të festuar së bashku”.
Duke bërë thirrje për vaksinimin anticovid, prof. Rakacolli tha se deri në datën 4 janar, të gjithë punonjësit e administratës publike, supermarketeve dhe qendrave tregtare duhet të jenë të vaksinuar.
“Ju kujtoj që në datën 4 janar të gjithë punonjësit e administratës publike, të supermarketeve dhe qendrave tregtare si një kategori që përbëjnë rrezik për të tjerët do të paraqesin dokumentin e vaksinimit ose çertifikatat e shërimit me vlefshmëri deri në 6 muaj pas ditës së shërbimit. Kjo çertifikatë ka filluar të gjenerohet edhe në sistemin e-albania”, tha Rakacolli. Duke bërë një pasqyrë të situatës së vaksinimit në vend, prof. Silva Bino, shefe e Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP tha:
“Përsa i përket vaksinimit kemi një rritje në përqindje e vaksinimit për dozat e para, doza të dyta dhe natyrisht dhe të dozave të treta në dy javët e fundit e cila ka sjellë një rritje të mbulesës me vaksina në vend, e cila po arrin për rreth 40% në popullatën e përgjithshme dhe për rreth 50% në popullatën target. Përqindje të lartë në lidhje me vaksinimin ka patur Bashkia e Tiranës, e cila është mbi 57% aktualisht që flasim. Dhe natyrisht kemi bashki mbi 80% si ajo e Himarës, Sarandës apo bashki të tjera të cilat kanë nivel të lartë vaksinimi”.
Sa i takon situatës në spitale, prof. Najada Çomo u shpreh se pjesa dërrmuese janë të pavaksinuar, ndërsa apeloi të rinjtë të vaksinohen duke përcjellë fjalët e një djali të ri që humbi jetën pak dotë më parë: “Një djalë 30 vjeçar që ka ndërruar jetë para pak ditëve që disa orë përpara se të ndërronte jetë tha. Sa keq më vjen që nuk u vaksinova, dhe besoj që fjala e tij vlen për shumë të rinj, që të vrapojnë për t’u vaksinuar”, tha Najada Çomo.
Ekspertët kanë vlerësuar se situata në vend mbetet e qëndrueshme por kanë apeluar për vaksinimin e shpejtë dhe respektimin e masave anticovid.
Masat në fuqi janë si vijon:
- Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00, përveç natës së ndërrimit të viteve.
- Punonjësit e administratës publike, të supermarketeve dhe qendrave tregtare do të paraqesin dokumentin e vaksinimit ose çertifikatat e shërimit me vlefshmëri deri në 6 muaj pas ditës së shërbimit, duke filluar nga data 4 janar 2022,
- Vijon që qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:
– Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.
– Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.
– Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
– Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
- Vijon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj, e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
- Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj deri në 30% të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve