Aktualitet

Ndryshon buxheti 2023, rishpërndahen 46 mld lekë! Për rindërtimin 12 mld lekë, fermerët përfitojnë 1.8 mld lekë për skemën e naftës

Qeveria ka vendosur që nëpërmjet një akti normativ të ndryshojë buxhetin e vitit 2023. Kështu bëri me dije ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete, i cili tha se nisur nga performanca e mirë e të ardhurave, parashikon rritje të planit vjetor të të ardhurave me 7.5 miliardë lekë. Sipas ministrit 12 mld lekë do të shpërndahen për rindërtimin.

‘Sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kemi miratuar Aktin Normativ për ndryshime të Buxhetit të vitit 2023.

Ky akt normativ, nisur edhe nga performanca e mirë e të ardhurave, parashikon rritje të planit vjetor të të ardhurave me 7.5 miliardë lekë.

Nëpërmjet këtij akti normativ rishpërndahen rreth 46 miliardë lekë, me synim përshpejtimin e projekteve me performancë pozitive dhe nxitjen e rritjes ekonomike.

Kjo bëhet e mundur edhe falë një ecurie pozitive të sektorit energjetik, i cili nuk ka pasur nevojë për mbështetjen buxhetore të parashikuar në fillim të vitit.

Nëpërmjet aktit normativ mbështetet procesi i rindërtimit me afro 12 miliardë lekë, me synim avancimin dhe përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi.

Gjithashtu, alokohen rreth 1.8 miliardë lekë për skemën e naftës dhe skemat e mbështetjes së fermerëve, për të cilat Ministria e Bujqësisë do të sigurohet për disbursimin e tyre deri në fund të vitit.

Parashikohet një shtesë për fondin e ish-të përndjekurve politikë, me synim përshpejtimin e pagesave për këtë kategori përfituesish.

Akti normativ mbështet gjithashtu projektet në infrastrukturë, kryesisht në rrugë, ujësjellësa dhe kanalizime. Ndërkohë, parametrat makro-fiskalë vazhdojnë të synojnë uljen e borxhit publik, duke mbajtur të pandryshuar defiçitin buxhetor.’- tha ministri.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button