Dallëndyshe Bici emërohet në krye të IKMT
Dallëndyshe Bici është emëruar në krye të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), duke u larguar nga posti i saj në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK). Euronews Albania ka siguruar dokumentin ku kryeministri Rama ka bërë emërimin e saj.
Në vend të Bicit në krye të ASHK-së është emëruar Lorena Goxhabelli.
Dallëndyshe Bici ka një karrierë të gjatë, duke përfshirë drejtimin e sektorëve të rëndësishëm në kompani ndërkombëtare të telekomunikacionit në Shqipëri. Nga prilli deri në nëntor 2010, ajo ka punuar si koordinatore e programeve Master dhe Doktoraturë në Universitetin Polis.
Nga tetori 2013 deri në gusht 2014, Bici ka shërbyer si drejtoreshë në Drejtorinë e Inspektimit Juridik në Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Prej gushtit 2014 deri në mars 2023, ajo ka qenë kryeinspektore në Institutin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Së fundmi, deri në emërimin e saj të ri, ajo drejtonte Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.