Ministrja e Drejtësisë reagon për vrasjen e Klodian Rashës:

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka reaguar për vrasjen e të riut, Klodian Rasha nga një polic. Ndërsa i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit, Gjonaj thotë se, efektivi i policisë që vrau Rashën, kreu një veprim personal dhe është në burg. Ministrja shprehet se çështja duhet lënë në dorë të organeve të drejtësisë për t’u hetuar.
“Jemi në një situatë paprecedentë. Jeta e humbur e një të riu është një ngjarje shumë e rëndë aq më tepër kur ka ardhur si pasojë e veprimeve të një efektivi të policisë. Dua të shpreh keqardhjen dhe solidarizohem me dhimbjen e madhe të familjes, por nga ana tjetër është një ngjarje e veçuar. Efektivi i policisë ka kryer një veprim personal. Ndodhet në masën e arrestit me burg dhe duhet t’ua lëmë organeve të drejtësisë të hetojnë. Është gjykata që duhet të marrë një vendim për efektivin që ka kryer këtë veprim. Hetimet janë pjesë e institucioneve të drejtësisë. Do të ishte shumë nëse unë do të kisha më shumë informacion sepse do të tregonte që ndërhyhet. Janë organet e drejtësisë që do të duhet të kenë kohën e nevojshme për të hetuar dhe për të zbatuar ligjin. Dua të theksoj se është një ngjarje tërësisht sporadike, tërësisht e veçuar dhe në asnjë rast nuk ka ndodhur me një urdhër politik, ndryshe nga ajo që ka ndodhur disa vite më parë në bulevard kur urdhrat politikë jepeshin nga partia në pushtet apo PD, apo dhjetëra jetë të humbura në rastin e Gërdecit. Policia e Shtetit sot nuk ka asnjë krahasim me policinë në kohën e PD. Sot sjellja e efektivëve të policisë ka një ndryshim thelbësor me sjelljen e efektivëve në kohën e PD-së. Ata sjellin rezultate në përballjen e Shqipërisë me krimin. Shqipëria ka dalë nga harta e kultivimit të drogës. Faktet janë kokëforta dhe nuk meritojnë krahasim me policinë në kohën e PD-së. Ka shumë aspekte që duhen përmirësuar por krahasimi është i pavend. Nëse do e shohim si rast sporadik, duhet të kuptojmë që nuk përfaqëson frymën e Policisë Shqiptare. Të gjithë djemtë e vajzat meritojnë një respekt për punën e tyre në përballje me krimin, por dhe në situata të pazakonta siç ka qenë tërmeti apo dhe në kohën e pandemisë.”-tha Gjonaj.