Aktualitet

Vijon numërimi, Rama drejt mandatit të katërt me një triumf! Edhe diaspora me socialistët, Berisha fundos përfundimisht opozitën

PS rritje ne të gjithë vendin deri tani merr fitoren me një triumf. PD me aleatët rënie drastike dhe kështu Berisha fundos opozitën. Edhe diaspora shpërblen Ramën, PS dominon me 47,23%, e ndjekur nga PD me 38,60%. PS përmbys rezultatin në Dibër (3 mandate) dhe Lezhë (4 mandate). Në Elbasan PS merr 2 mandate plus dhe shkon në 10. Në Fier, PS shkon nga 9 në 12. PS rritje edhe në Tiranë me 1 mandat, Berisha humb 3 mandate në kryeqytet

TIRANË– Procesi i numërimit të votave vijon, ndërsa rezultatet paraprake tregojnë një fitore të mandatit të katërt Partisë Socialiste të Shqipërisë me një triumf, e cila kryeson me 186,844 vota, ose 52.7% të totalit të votave të numëruara deri më tani, duke siguruar 83 mandate në Kuvend.

Ndërsa PS është në rritje në gjithë vendin, Sali Berisha me aleatë janë në rënie drastike. Kështu Berisha i cili kërkon rikthimin në pushtet, veçse fundosi përfundimisht opozitën. Ata renditen forcë e dytë, por me rënie drastike, me 121,619 vota (34.3%) ose 51 mandate, nga 63 në vitin 2021 (59 të PD dhe 4 të LSI).

Edhe diaspora shpërblen socialistët. Deri tani Janë numëruar 977 zarfe të dërguar nga emigrantët, ku PS dominon me 47,23%, e ndjekur nga PD me 38,60%.

Nga 1445 QV të numëruara, nga 5225 në total, Partia Socialdemokrate ka marrë 13,219 vota (3.7%) dhe ka siguruar 3 mandate. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 12,367 vota (3.5%) dhe Partia Mundësia me 9,310 vota (2.6%), që u përkthehet deri më tani nga 1 mandat. Po ashtu, edhe Lëvizja Bashkë me 4,407 vota (1.2%) dhe merr 1 mandat.

Forcat e tjera politike: Partia Koalicioni Euroatlantik me 3,900 vota (1.1%), Koalicioni Djathtas për Zhvillim me 1,260 vota (0.4%), Partia Aleanca Demokracia e Re me 263 vota (0.1%), Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare me 677 vota (0.2%) dhe Lëvizja Atdheu me 458 vota (0.1%).

Surpriza për socialistët është në Dibër, ku kemi një përmbysje të rezultatit dhe një rritje historike të PS. Partia Socialiste nën udhëheqjen e Edi Ramës ka përmbysur rezultatin dhe sipas rezultateve të deritanishme merr 3 mandate me 58.6% të votave. PD zbret nga 3 mandate që kishte në 2021, në vetëm 2 mandate. Përmbyset rezultati edhe në Lezhë në favor të PS. Deri më Tani, PS merr 4 mandate 44.3% të votave, ndërsa PD zbret në 3 mandate me 40% të votave.

Rritja në gjithë vendin, i ka dhuruar PS 2 mandate plus në qarkun e Elbasanit. Me 68% të votave, PS merr 10 mandate nga 8 që kishte në 2021, ndërkohë PD me aleatët zbresin nga 6 mandate në vetëm 4 me 29.3% të votave.

Fitore e thellë për PS edhe në qarkun e Fierit, ku sipas rezultateve PS merr 12 mandate, një fitore e thellë në këtë qark, ku PS në vitin 2021 mbante vetëm 9 mandate. Berisha me aleatët zbresin nga 7 mandate në qarkun e Fierit në 4 mandate me 25.2% të votave.

PS rritet në Shkodër me 1 mandat dhe shkon nga 3 në 4 me 34.9% të votave. Berisha bie edhe në bastionin e tij, ku sipas rezultateve deri më tani humb një mandat dhe shkon nga 6 në 5 mandate me 41.2% të votave.

Rezultatet paraprake nga qarku më i madh elektoral, Tirana, tregojnë se Partia Socialiste e Shqipërisë kryeson me 39,601 vota, ose 47.9% të totalit të votave të numëruara deri tani, duke siguruar përkohësisht 19 mandate. Në vend të dytë renditet Koalicioni Partia Demokratike – ASHM me 28,948 vota (35%) dhe 14 mandate. Një rënie drastike duke humbur kështu 3 mandate dhe zbret nga 17 që kishte në 2021 në vetëm 14 mandate.

Sipas këtyre rezultateve paraprake, mandate në Tiranë kanë siguruar edhe: Partia Mundësia me 4,069 vota (4.9%) – 1 mandat, Partia Socialdemokrate me 2,894 vota (3.5%) – 1 mandat, Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 2,594 vota (3.1%) – 1 mandat, Lëvizja Bashkë me 2,322 vota (2.8%) – 1 mandat.

PS përmbys rezultatin në Lezhë, por gara me PD mbetet e ngushtë

Partia Socialiste përmbys rezultatin edhe në Lezhë dhe sipas rezultatit paraprak ka marrë 8,404 vota ose 44.4% të totalit, duke siguruar 4 mandate nga 3. Krahasuar me vitin 2021, PS ka shënuar një rritje prej 2.7%, nga 41.7% që kishte në zgjedhjet e fundit.

Koalicioni Partia Demokratike – ASHM ndjek me 8,308 vota ose 43.9% të totalit dhe ka fituar 3 mandate. PD ka shënuar një rënie të ndjeshme prej -11.1% krahasuar me vitin 2021, kur kishte marrë 54.9% dhe kishte siguruar 4 mandate.

Forcat e tjera politike nuk kanë siguruar mandate. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka marrë 5.2% të votave, Partia Socialdemokrate 3.2%, Partia Koalicioni Euroatlantik 1.4%, Partia Mundësia 1.2%, Lëvizja Bashkë 0.4%, Koalicioni Djathtas për Zhvillim 0.1%, Partia Aleanca Demokracia e Re 0.0%, Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare 0.1%.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button