Çifti u mbyt në kanal pas aksidentit, banori i zonës: I binin xhamit me grushte

Ndue Preçi dhe Pashke Malçi, të cilët ishin burrë e grua, nuk kanë vdekur nga plagët, por janë mbytur pasi makina me të cilën udhëtonin ra në kanal në vendin e quajtur “Kthesa e Qarrit” në Fier.
Banorët, të cilët janë gjetur të parët në vendin e ngjarjes kanë treguar më shumë detaje në momentin e aksidentit.
Njëri prej tyre ka rrëfyer se si është njoftuar për aksidentin dhe që duhej të nxirrte një makinë nga kanali me zetor.
Ai ka treguar se në momentin e aksidentit, çifti i bashkëshortëve është munduar të dalin nga xhami i pasmë i makinës, duke e goditur me grushte, por fatkeqësisht nuk kanë mundur.
“Takova dikë dhe e pyeta: Ku është makina? Ka rënë brenda në ujë. Po personat? Janë brenda më tha. Shkova dhe godita xhamin e pasmë, nxora personat, i vura litarin makinës dhe e nxorën sipër pastaj. Personat ishin mbytur. Personi që takova më tha që ata po i binin xhamit dhe tentonin të dilnin. I thashë se pse nuk mori një gur që ta thyente dhe të dilnin”, tregon banori.
Shkak i aksidentit dyshohet se është bërë shpejtësia e madhe e makinës dhe lagështia në rrugë.




