Aktualitet

Trazirat në Kongresin Amerikan, reagon për herë të parë ambasadorja Kim

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar për herë të parë pas trazirave që ndodhën në Kapitol Hill dy ditë më parë në SHBA.

Kim thotë se ajo që SHBA këshillon për të tjerët, duhet të zbatohet edhe për ta, duke veçuar këtu lirinë e fjalës, të drejtën e protestave, që janë sipas saj thelbësore për demokracinë. Por kjo liri, thekson Kim, nuk duhet të përshkallëzohet në dhunë dhe paligjshmëri.

“Shumë miq kanë shprehur tronditje dhe shqetësim rreth sulmit të fundit mbi Kapitolin e SHBA. Unë do të doja të ju falënderoj për qëndrimin me ne. Dje, Presidenti Trump e bëri të qartë se është dhe duhet të mbetet një komb i rendit dhe ligjit, dhe ata që shkelën ligjin do të paguajnë një çmim, – shkruan Kim. – Trump gjithashtu e bëri të qartë se Kongresi ka vërtetuar rezultatet e zgjedhjeve tona dhe ai tani është përqendruar në sigurimin e një tranzicioni të qetë, të rregullt dhe pa ndërprerje të pushtetit në 20 Janar

Sipas saj, “ajo që SHBA këshillon për të tjerët, zbatohet edhe për ne: liria e fjalës dhe e drejta e protestave janë thelbësore për demokracinë, por kjo liri dhe e drejtë nuk duhet të zvetënohet në paligjshmëri dhe dhunë ndaj vetë demokracisë, përfshirë tranzicionin paqësor të pushtetit. Demokracia nuk është e lehtë dhe nuk guxon të merret si e mirëqenë nga askush prej nesh”, – përfundon ambasadorja amerikane në Tiranë.

Nga protestat e dhunshme në Kapitol Hill, humbën jetën pesë persona, një prej tyre, një oficer policie i selisë së Kongresit Amerikan.

Gjithçka ndodhi, pasi protestuesit pro-presidentit Trump, kundërshtonin certifikimin e zgjedhjes së demokratit Joe Biden si shefin e ri të Shtëpisë së Bardhë.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button