Aktualitet

Vizita në Pentagon/ Gjeneralmajor Begaj: SHBA i jep Shqipërisë 17 milionë dollarë për ushtrinë. Javelin dhe…!

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral Bajram Begaj thotë vendi i tij është në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara përsa u takon aftësive mbrojtëse dhe ndihmës për Ukrainën.

Pas një takimi në Pentagon me Shefin e Shefave të Shtabit të Bashkuar të Ushtrisë amerikane, Mark Milley, gjenerali Begaj tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara kanë dhënë së fundmi 17 milionë dollarë për ushtrinë e Shqipërisë.

Zyra e gjeneralit Milley tha se në takim u diskutua për agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe përgjigjet e Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Gjenerali Begaj foli në intervistën me kolegen Keida Kostreci edhe për blerjen e raketave Javelin dhe tha se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj për stabilitetin në rajon.Gjen. Begaj: SHBA i jep Shqipërisë 17 milionë dollarë për ushtrinë Zëri i Amerikës: Zoti Begaj, ju sapo takuat Shefin e Shefave të Shtabit të Bashkuar të ushtrisë amerikane, gjeneralin Milley. A mund të na thoni disa detaje nga ky takim?

Gjen. Bajram Begaj: Faleminderit juve. Është kënaqësi për mua të marr pjesë në këtë intervistë dhe gjithashtu është kënaqësi të takoj kryetarin e shefave të shtabit të Amerikës, gjeneral Milley-n. Temat e diskutimit ishin të gjithanshme. Kishin lidhje me bashkëpunimin midis dy vendeve tona, kishin lidhje me situatën në Ukrainë dhe me të ardhmen e bashkëpunimit tonë.

Me gjeneral Milley-n biseduam për kontributin e dhënë nga shteti amerikan për forcat e armatosura shqiptare dhe historia e bashkëpunimit është 30 vjeçare. Ne jemi në javën amerikane të bashkëpunimit dhe 100 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Amerikë. Mendoj që bashkëpunimi në fushën ushtarake ka qenë mëse i shkëlqyer. Shtetet e Bashkuara na kanë ndihmuar në modernizimin dhe në ristrukturimin e forcave të armatosura. Programet e modernizimit, të cilat kanë qenë në bashkëpunim me Zyrën Amerikane të Bashkëpunimit janë në vazhdim e sipër.

Përveç kontributit në rritjen e fuqisë mbrojtëse të vendit me paisje të reja, kemi edhe kontribut me trajnime të ndryshme, me mirëmbajtjen e paisjeve dhe me stërvitje të ndryshme. Gjatë vitit të kaluar ne ishim mikpritës të stërvitjes Defender-21, e cila ishte një histori suksesi në lidhje me bashkëpunimin ushtarak. Me këtë stërvitje jo vetëm që patëm prezent ushtrinë amerikane në tokën tonë, por u testua edhe roli gjeostrategjik dhe pozicioni gjeografik i Shqipërisë, po ashtu u testuan edhe kapicitetet kombëtare, qoftë ushtarake, qoftë civile në drejtim të përdorimit të kësaj infrastrukture në drejtim ushtarak.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button