Opinion

Profesori i njohur këshillon emigrantët: Mos e shisni shtëpinë në Shqipëri, një ditë fëmijët tuaj do të rikthehen në atdhe

Gjuhëtari Xhevat Lloshi u ka përcjellë një mesazh të rëndësishëm emigrantëve, për ruajtjen e gjuhës shqipe. Profesor Lloshi thotë se emigrantët duhet t’u mësojnë fëmijëve gjuhën dhe kulturën e shqiptarëve, edhe në vendin ku ata po jetojnë.

I ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTv ai tha kini kujdes me fëmijët, sepse ju ikni për fëmijët, por edhe fëmijët do të ikin nga ju sepse integrohen në një shoqëri dhe kulturë tjetër.

Profesor Lloshi thotë se emigrantët duhet t’u mësojnë fëmijëve gjuhën dhe kulturën e shqiptarëve, edhe në vendin ku ata po jetojnë, duke i çuar në klube ku flitet shqip, ku shiten librat shqip, duke krijuar një katalog me këta shqiptarë për të vendosur lidhje gjuhësore dhe kulturore.

Gjuhëtari e mbyll mesazhin duke u thënë shqiptarëve që mos i prishin të gjithë urat me Shqipërinë, pasi një ditë, në mos ata, fëmijët e tyre do të rikthehen në atdhe.

“Një kulturë e mirë, ju siguron një komunikim njerëzor të mirë. Unë nuk jam nga ata që ulërijnë se po ikin shqiptarët, pasi shqiptarët do të ikin e vijnë. Por, këta që largohen dhe ikin e shohin se ka diçka që nuk shkon dhe thonë: “Po ikim për fëmijët.” Gabim është nëse fëmijët me të cilët ata po ikin janë në moshë të vogël dhe ata fëmijë mund të integrohen në shoqërinë ku shkojnë, ndërsa nëse janë në moshë më të madhe ata përdorin rrugë të tjera të shtrembëruara për t’u integruar. Këta fëmijë që shkojnë do të integrohen në atë shoqëri. Lidhja që do të krijojnë ata me atë vend, do të shkëpusë lidhjet me Atdheun, vendin dhe dashurinë e këtij vendi. Ata do të integrohen me atë shoqëri ku shkojnë.

Formimi që kanë pasur, lidhjet që kanë pasur me tokën, me njerëzit, me kulturën shqiptare, janë të vogla. Mund të zhbëhen fare lehtë nga një mjedis i ri, njerëz të rinj, marrëdhënie të tjera. Pas 15 vjetësh prindërit do të shikojnë se ky fëmijë nuk do të jetë më ai fëmijë i vogël që emigroi nga Shqipëria, por do të jetë fëmijë i asaj shoqërie ku ai ka shkuar. Të keni kujdes me fëmijët, sepse ju ikni për fëmijët, por edhe fëmijët do të ikin nga ju. Kjo shpëtohet vetëm duke mbajtur lidhjet me Shqipërinë. Sepse në kulturën tonë ruhen ende marrëdhëniet njerëzore. Kultura është shkallë hipokrizie. Ka miliona mënyra që komunikimi të jetë njerëzor. Në shkollë i duhet dhënë shumë rëndësi edhe kësaj.

Në disa vende kanë krijuar qendra shqiptarë, klube shqiptare. Këto qendra duhet të jenë në kujdesin e ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Shteti shqiptar duhet të interesohet ku janë qendrat e shqiptarëve, klubet e tyre, kafenetë e tyre, ku shiten librat e tyre shqip. Duhet krijuar një katalog me këta shqiptarë ku janë ata duke vendosur lidhje me ta. Duhen blerë librat shqip. E kam thënë edhe më parë Kurani dhe Bibla duhet të jenë në shqip. Nuk mund të jesh shqiptar nëse nuk i lutesh Zotit shqip. Këshilla e vetme që unë kam është mos e shisni shtëpinë, mos i prisni pemët e bahçes, se një ditë fëmijët tuaj mund të gjejnë gëzim aty. Mos i prishni urat me vendin tuaj”, tha ai.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button