Aktualitet

Rama nesër në Kosovë, Kurti i vendos kusht: Nuk e takoj nëse nuk mbahet mbledhja mes qeverive që u anulua

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka vendosur kusht për takimin me kryeministrin Edi Rama me mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

Rama do të jetë nesër në Prishtinë nga ku do të nisë turin ballkanik në kuadër të përgatitjeve të samitit për procesin e Berlinit që pritet të mbahet në tetor.  Ndërkohë, Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë ka thënë se e di që Rama do të jetë në Kosovë, pasi ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me të.

“E di që do të vijë. Vizita ka të bëjë me samitin e radhës të procesit të Berlinit që pritet të mbahet në tetor. Miqësisht i kam kërkuar Ramës se meqë do të rrijë e qëndrojë 2 ditë e 1 natë ta mbajmë dhe mbledhjen e qeverive që u anulua pa arsyeshme ndonëse ishte paraparë në Gjakovë. I kërkova të bënim mbledhje qeverie për të firmosur marrëveshjet. Çdo ditë e humbur është dëm për qytetarët. Nuk e takoj nëse nuk do jetë mbledhje e përbashkët e qeverive që u anulua”, ka thënë Kurti.

Sakaq, Kurti ka bërë me dije se ai është pro për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në veri të Kosovës, por ai nuk mund të garantojë pjesëmarrjen e Listës Serbe.

Kurti u shpreh se ndërkombëtarët nuk arritën që t’i plotësojnë atij premtimin që Lista serbe të futej në zgjedhje.

‘Unë besoj se kemi treguar gatishmëri dhe investimin tonë maksimal për deeskalim. Eskalimi po ndodh në territor të Kosovës normalisht që i intereson Beogradit. Zgjedhjet parakohshme janë ata që e largojnë kryetarin nga ambienti i komunës. Më shumë se ¾ e ekstremisteve të dhunshëm të identifikuar janë në liri. Zgjedhjet e parakohshme do të duhet të përgatiteshim. Unë i kam lutur faktorët ndërkombëtar. Mua më kanë premtuar ndërkombëtarët se po e pranuam aneksin e zbatimit në Ohër, lista Serbë merr pjesë. Unë dua pjesëmarrje të serbëve por nuk mund ta detyroj Listës Serbe të marrë pjesë. Lista Serbe po rrëshqet në shkelje të ligjit, që organet tona të sigurisë të shpallen terroriste. Ndërkombëtarët nuk kanë arritur që ta plotësojnë premtimin ndaj meje që të merrte pjesë Lista Serbe. Unë jam për zgjedhje të parakohshme, por në anën tjetër nëse nuk ke asnjë gram garanci se në zgjedhjet e parakohshme të përsëritet 23 prilli.’- tha më tej kryeministri i Kosovës.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button